A është e mundur të shikohen engjëjt?
Të shikosh engjëjt në një formë tjetër nga forma e tyre e vërtetë në të cilën Allahu
i ka krijuar ata është e mundur. Është provuar që një numër Sahabësh panë engjëjt në
formë njeriu, ashtu siç ishte provuar ndërmjet kombeve që erdhën para nesh.
A mund t'i shohim engjëjt në formën e tyre të vërtetë?
Për sa i përket shikimit të engjëjve në formën e tyre të vërtetë, nuk ka ndonjë transmetim
rreth kësaj përveç transmetimeve që thonë se Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut
qofshin mbi të) e ka parë Xhibrilin (në formën e tij të vërtetë) dy herë, dhe ai u habit nga ajo
që pa: nga madhësia e tij e madhe në formën e tij të vërtetë.
Transmetohet që 'Umar ibn El-Khattab (Allahu qoftë i kënaqur me të) tha: Ndërsa ne ishim me
të Dërguarin e Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) një ditë, një burrë
erdhi tek ne, veshja e të cilit ishte jashtëzakonisht e bardhë dhe floku i të cilit ishte
jashtëzakonisht i zi, ai nuk kishte shenja udhëtimi dhe asnjëri nga ne nuk e dinte kush
ishte ai. Ai erdhi dhe u ul përballë Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të),
duke u ulur në gjunjë përballë Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) dhe
duke vendosur pëllëmbët e tij mbi kofshët e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të).
Ai tha: O Muhamed, me trego mua për Islamin....Dhe Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të)
tha: "O 'Umar, a e di se kush ishte ai pyetës?" Unë thashë: "Allahu dhe i Dërguari i Tij
e dinë më mirë." Ai tha: "Ai ishte Xhibrili, i cili erdhi tek ju që t'ju mësonte ju
fenë tuaj" (Muslim, 8)
Transmetohet që Sa'd ibn Ebi Uekkas (Allahu qoftë i kënaqur me të) tha: Në ditën e Uhudit,
unë pashë në të djathtë të të Dërguarit të Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të)
dhe në të majtë të tij, dy burra të veshur me të bardhë, duke luftuar agresivisht që ta mbronin
atë, dhe unë nuk i kam parë më ata më para apo më pas. (Muslim 2306)
Es-Sujuti (Allahu pastë mëshirë mbi të) thotë: "En-Neueui thotë: Nga ky Hadith ne kuptojmë që
të shikosh engjëjt nuk është vetëm për profetët. Sahabët dhe eulijatë (njerëzit shumë të
devotshëm) i kanë parë ata, dhe ata nuk luftuan vetëm në ditën e Bedrit." (Sherh As-Sujuti
'ala Muslim 5/317).
A mund t'i shohim xhindet?
Të shikosh xhindet - gjithashtu në një formë të ndryshme nga forma e tyre e vërtetë - është
gjithashtu e mundur. Shembuj të kësaj përfshijnë si më poshtë:
Transmetohet që Ebu Hurejrah (Allahu qoftë i kënaqur me të) tha: I Dërguari i Allahut
(paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) më caktoi mua të ruaja zekatin e Ramazanit.
Dikush erdhi dhe filloi të merrte një pjesë të ushqimit. Unë e kapa atë dhe i thashë:
'Unë do të të marr ty tek i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të)!'
Ai tha: 'Më lër, sepse unë kam nevojë dhe kam fëmijë që kanë shumë nevojë.' Kështu që unë e
lashë të shkonte. ...Në fund të hadithit thuhet: Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të)
tha: 'Ai me të vërtetë të tha ty të vërtetën, edhe pse ai është gënjeshtar. A e din se kujt
ke qënë duke i folur për të tre netët e shkuara, o Ebu Hurejrah? Unë i thashë, 'Jo'. Ai tha,
'Ai ishte një djall'. (Muslim, 2187)
Ibn Haxher (Allahu pastë mëshirë mbi të) tha: "Ajo që kemi mësuar ne nga ky hadith... është
që djalli mund të shfaqet në forma të ndryshme, kështu që është e mundur ta shikosh atë.
Fjalët e Allahut (interpretimi i kuptimit), Ai dhe shpura e tij ju sheh, prej nga ju nuk i shihni ata.
[El-A'Raf 7:27] i referohen kur ai është në formën e tij origjinale me të cilën ai është
krijuar.
Pra ne dimë që të shikosh engjëjt dhe xhindet në një formë të ndryshme nga forma e tyre e
vërtetë është e mundur dhe ndodh.
A mundet që bebet t'i shohin engjëjt?
Për sa i përket sugjerimit që vetëm fëmijët mund ti shohin ata,
ne nuk njohim ndonjë tekst që flet për këtë. Kjo është një çështje e të fshehtës,
dhe ne nuk mund të themi ndonjë gjë rreth saj përveç se duke u bazuar në prova,
dhe nuk ka ndonjë provë që të mohojë ose të pohojë këtë.
Dhe Allahu e di më mirë.