Islam Pyetje & Përgjigje

Kjo faqe përmban pyetje dhe përgjigje rreth islamit. Pyetjet dhe përgjigjet janë përkthyer nga faqja islamqa.info e moderuar nga Shejkh Muhamed Salih El-Munexhid.


A mundet që bebet t'i shohin engjëjt?

Pyetja

A i shohin fëmijët engjëjt dhe xhindet? Nëse një foshnje që ushqehet me gji qesh kur ai po shikon në një hapësirë boshe në dhomë, a do të thotë kjo që ai ka parë një ëngjëll?

Përmbledhja e përgjigjes:

Të shikosh engjëjt ose xhindet në një formë tjetër nga forma e tyre e vërtetë është e mundur. Për sa i përket sugjerimit që vetëm fëmijët mund ti shohin ata, ne nuk njohim ndonjë tekst që flet për këtë. Kjo është një çështje e të fshehtës, dhe ne nuk mund të themi ndonjë gjë rreth saj përveç se duke u bazuar në prova, dhe nuk ka ndonjë provë që të mohojë ose të pohojë këtë.

Përgjigjja

  1. A është e mundur të shikohen engjëjt?
  2. A mund t'i shohim engjëjt ne formën e tyre të vërtetë?
  3. A mund t'i shohim xhindet?
  4. A mundet bebet të shohin engjëjt?

Lavdia i takon Allahut

A është e mundur të shikohen engjëjt?

Të shikosh engjëjt në një formë tjetër nga forma e tyre e vërtetë në të cilën Allahu i ka krijuar ata është e mundur. Është provuar që një numër Sahabësh panë engjëjt në formë njeriu, ashtu siç ishte provuar ndërmjet kombeve që erdhën para nesh.

A mund t'i shohim engjëjt në formën e tyre të vërtetë?

Për sa i përket shikimit të engjëjve në formën e tyre të vërtetë, nuk ka ndonjë transmetim rreth kësaj përveç transmetimeve që thonë se Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) e ka parë Xhibrilin (në formën e tij të vërtetë) dy herë, dhe ai u habit nga ajo që pa: nga madhësia e tij e madhe në formën e tij të vërtetë.

Transmetohet që 'Umar ibn El-Khattab (Allahu qoftë i kënaqur me të) tha: Ndërsa ne ishim me të Dërguarin e Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) një ditë, një burrë erdhi tek ne, veshja e të cilit ishte jashtëzakonisht e bardhë dhe floku i të cilit ishte jashtëzakonisht i zi, ai nuk kishte shenja udhëtimi dhe asnjëri nga ne nuk e dinte kush ishte ai. Ai erdhi dhe u ul përballë Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), duke u ulur në gjunjë përballë Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) dhe duke vendosur pëllëmbët e tij mbi kofshët e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të). Ai tha: O Muhamed, me trego mua për Islamin....Dhe Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) tha: "O 'Umar, a e di se kush ishte ai pyetës?" Unë thashë: "Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë." Ai tha: "Ai ishte Xhibrili, i cili erdhi tek ju që t'ju mësonte ju fenë tuaj" (Muslim, 8)

Transmetohet që Sa'd ibn Ebi Uekkas (Allahu qoftë i kënaqur me të) tha: Në ditën e Uhudit, unë pashë në të djathtë të të Dërguarit të Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) dhe në të majtë të tij, dy burra të veshur me të bardhë, duke luftuar agresivisht që ta mbronin atë, dhe unë nuk i kam parë më ata më para apo më pas. (Muslim 2306)

Es-Sujuti (Allahu pastë mëshirë mbi të) thotë: "En-Neueui thotë: Nga ky Hadith ne kuptojmë që të shikosh engjëjt nuk është vetëm për profetët. Sahabët dhe eulijatë (njerëzit shumë të devotshëm) i kanë parë ata, dhe ata nuk luftuan vetëm në ditën e Bedrit." (Sherh As-Sujuti 'ala Muslim 5/317).

A mund t'i shohim xhindet?

Të shikosh xhindet - gjithashtu në një formë të ndryshme nga forma e tyre e vërtetë - është gjithashtu e mundur. Shembuj të kësaj përfshijnë si më poshtë:

Transmetohet që Ebu Hurejrah (Allahu qoftë i kënaqur me të) tha: I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) më caktoi mua të ruaja zekatin e Ramazanit. Dikush erdhi dhe filloi të merrte një pjesë të ushqimit. Unë e kapa atë dhe i thashë: 'Unë do të të marr ty tek i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të)!' Ai tha: 'Më lër, sepse unë kam nevojë dhe kam fëmijë që kanë shumë nevojë.' Kështu që unë e lashë të shkonte. ...Në fund të hadithit thuhet: Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) tha: 'Ai me të vërtetë të tha ty të vërtetën, edhe pse ai është gënjeshtar. A e din se kujt ke qënë duke i folur për të tre netët e shkuara, o Ebu Hurejrah? Unë i thashë, 'Jo'. Ai tha, 'Ai ishte një djall'. (Muslim, 2187)

Ibn Haxher (Allahu pastë mëshirë mbi të) tha: "Ajo që kemi mësuar ne nga ky hadith... është që djalli mund të shfaqet në forma të ndryshme, kështu që është e mundur ta shikosh atë. Fjalët e Allahut (interpretimi i kuptimit), Ai dhe shpura e tij ju sheh, prej nga ju nuk i shihni ata. [El-A'Raf 7:27] i referohen kur ai është në formën e tij origjinale me të cilën ai është krijuar.

Pra ne dimë që të shikosh engjëjt dhe xhindet në një formë të ndryshme nga forma e tyre e vërtetë është e mundur dhe ndodh.

A mundet që bebet t'i shohin engjëjt?

Për sa i përket sugjerimit që vetëm fëmijët mund ti shohin ata, ne nuk njohim ndonjë tekst që flet për këtë. Kjo është një çështje e të fshehtës, dhe ne nuk mund të themi ndonjë gjë rreth saj përveç se duke u bazuar në prova, dhe nuk ka ndonjë provë që të mohojë ose të pohojë këtë.

Dhe Allahu e di më mirë.